Ankohuni këtu

Përpunimi

Të dhënat personale mund të përpunohen vetëm nëse:

  • subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin e tij ose saj
  • përpunimi është i domosdoshëm për përmbushjen e një kontrate në të cilën subjekti i të dhënave është palë kontraktuese ose për të ndërmarrë veprimet lidhur me kërkesën e subjektit të të dhënave para lidhjes së kontratës
  • përpunimi është i domosdoshëm për respektimin e obligimit ligjor të cilit i nënshtrohet kontrolluesi
  • përpunimi është i domosdoshëm për mbrojtjen e interesave jetike të subjektit të të dhënave
  • përpunimi është i domosdoshëm për kryerjen e një detyre me interes publik ose në ushtrimin e autoritetit zyrtar që i është dhënë kontrolluesit apo një pale të tretë të cilës i zbulohen të dhënat
  • përpunimi është i domosdoshëm për qëllime të interesave legjitime të ushtruara nga kontrolluesi ose pala e tretë apo palëve të cilave u janë zbuluar të dhënat, me përjashtim të rasteve kur interesat e tilla janë në kundërshtim me të drejtat dhe liritë themelore të subjektit të të dhënave

Përpunimi i të dhënave personale të ndjeshme:

    Të dhënat personale të ndjeshme mund të përpunohen vetëm në rastet në vijim:
  • nëse subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin
  • nëse përpunimi është i domosdoshëm për qëllime të realizimit të detyrimeve dhe të drejtave specifike të kontrolluesit të të dhënave në fushën e punësimit, në pajtim me ligjet përkatëse të cilat po ashtu ofrojnë masa mbrojtëse të përshtatshme për të drejtat e subjektit të të dhënave
  • nëse përpunimi është i domosdoshëm për mbrojtjen e interesave jetike të subjektit të të dhënave kur subjekti i të dhënave është fizikisht ose ligjërisht i paaftë për të dhënë pëlqimin e tij ose saj sipas nën-paragrafit 1.1 të këtij paragrafi
  • nëse ato përpunohen për qëllime të veprimtarive legjitime nga institucionet, shoqatat, asociacionet, bashkësitë fetare, sindikatat ose organizatat tjera jo-fitimprurëse me qëllime politike, filozofike, fetare ose sindikaliste, por vetëm nëse përpunimi ka të bëjë me anëtarët e tyre ose subjektet e të dhënave që janë në kontakt të rregullt me ato e në lidhje me qëllimet e tilla dhe nëse ata nuk i zbulojnë të dhënat e tilla të tjerëve pa pëlqimin me shkrim të subjektit të të dhënave
  • nëse subjekti i të dhënave i ka bërë ato publike pa e kufizuar përdorimin e tyre në mënyrë të dëshmuar ose të qartë
  • nëse ato përpunohen nga punonjësit shëndetësorë ose personeli shëndetësor në pajtim me ligjet përkatëse për qëllimet e mbrojtjes së shëndetit së shoqërisë, individëve dhe menaxhimit ose funksionimit të shërbimeve shëndetësore
  • nëse përpunimi është i nevojshëm për pohimin ose mohimin e kërkesës ligjore
  • nëse ato përpunohen në pajtim me ligjin përkatës për arsye të interesit thelbësor publik

Përpunimi për qëllime të kërkimeve historike, statistikore dhe shkencore

  • Pavarësisht nga qëllimi fillestar i grumbullimit, të dhënat personale mund të përpunohen më tutje për qëllime të kërkimeve historike, statistikore dhe shkencore
  • Nëse të dhënat personale përpunohen më tutje për qëllimet e përmendura në paragrafin 1 të këtij neni , ato do të bëhen anonime, përveç nëse ligji e parashikon ndryshe ose nëse subjekti i të dhënave e ka dhënë paraprakisht pëlqimin e tij ose saj me shkrim
  • Të dhënat personale, të cilat i janë zbuluar marrësve të të dhënave në pajtim me paragrafin 2 të këtij neni, do të shkatërrohen ose fshihen me rastin e përfundimit të përpunimit të tyre, përveç nëse është paraparë ndryshe me ligj. Pas shkatërrimit ose fshirjes, marrësi i të dhënave pa vonesë do ta njoftojë me shkrim kontrolluesin e të dhënave, i cili ka zbuluar të dhënat, për mënyrën dhe kohën e shkatërrimit dhe fshirjes së të dhënave
  • Rezultatet e përpunimit nga paragrafi 1 i këtij neni, do të publikohen në formë anonime, përveç nëse me ligj është paraparë ndryshe, nëse subjekti i të dhënave ka dhënë paraprakisht pëlqimin e tij ose saj me shkrim për publikim në formë jo-anonime ose nëse pëlqimi paraprak me shkrim për një publikim të tillë është dhënë nga trashëgimtarët e personit të vdekur, sipas këtij ligji.

Na ndiqni ne Twitter