Ankohuni këtu

MBAHET KONFERENCA - ‘BASHKËPUNIMI NDËRSHTETËROR – NDIKIMI NË KOMUNITETIN E BIZNESIT TË JASHTËM’

Prevallë, 19 prill 2019

Sot, në ambientet e Hotelit 'Sharr' në Prevallë, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi një konferencë, e cila iu dedikua subjekteve kontrolluese turke që operojnë në tregun e Kosovës, para të cilëve u shpalosën risitë që sjell ligji i ri që sapo ka hyrë në fuqi e që rregullon fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.

Të ftuar specialë në këtë konferencë ishin dy përfaqësues nga autoriteti homolog i Turqisë, repektivisht Presidenti i Institucionit të Mbrojtjes së të Dhënave z. Faruk Bilir dhe anëtari i bordit z. Shaban Baba.
Të ftuar për të ndjekur konferencën ishin përfaqësues të organizatave biznesore turke nga sektori privat që veprimtarinë e tyre e ushtrojnë në tregun e vendit tonë, Ambasada Turke e organizata tjera që zhvillojnë bashkëpunimin midis dy shteteve.

Kryesimi i kësaj konference u bë nga z. Jeton Arifi, Drejtor në ASHMDHP, i cili, para të pranishëmve adresoi fjalimin hyrës të kësaj konference, ndërsa panelistë ishin:
z. Faruk Bilir - President i Autoritetit Turk;
z. Shaban Baba - Anëtar i Bordit i Autoritetit Turk;
z. Bujar Sadiku - Drejtor i Përgjithshëm i ASHMDHP;
z. Valon Kryeziu - Drejtor i Departamentit Ligjor / ASHMDHP.

Vëmendje e veçantë gjatë punimeve të kësaj konference iu kushtua edhe gjendjes aktuale në këtë autoritet, me ç'rast Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë z. Bujar Sadiku, përveç kësaj, shpalosi edhe zhvillimet e fundit në autoritetin e vetëm, të ngarkuar me mbikëqyrjen e zbatimit të së drejtës në privatësi dhe lirisë së informimit.

Një adresim të veçantë për të pranishmit, për të nënvizuar nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit midis autoriteteve homologe të të dyja vendeve, e bëri Prof. Dr. Faruk Bilir, që udhëheq institucionin e mbrojtjes së të dhënave në Turqi.
Të pranishmit e konferencës shfrytëzuan rastin për të ndërvepruar me panelistët duke u shtruar pyetje rreth aktualitetit në përpunimin e të dhënave në saje të teknologjisë së avancuar.

Qëndrim i përbashkët i kësaj konference doli se ndërtimi i besimit për të dhënat e sigurta në vendet përkatëse do të vazhdojë të mbetet mision i përbashkët i dy autoriteteve.

Na ndiqni ne Twitter