Ankohuni këtu

Mblidhen Autoritetet e Privatësisë të ish-YU - Përfaqësuesit e ASHMDHP Flasin Shqip

Në takimin e parë të ‘Iniciativës 2017’, të organizuar nga Komisioneri i Privatësisë i Sllovenisë, u mblodhën agjencitë simotra të vendeve të ish - Jugosllavisë. Kosovën e përfaqësuan drejtues të Agjencisë me atribute të shtetit dhe mbajtën fjalim në gjuhën shqipe.


Bled, Slloveni, 17 maj 2017

 

Përfaqësues të lartë të autoriteteve të mandatuara për mbrojtjen e të dhënave personale nga Bosnja, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia e Sllovenia, u takuan në Bled të Sllovenisë, në takimin e parë të ‘Iniciativa 2017’.

 

Përfaqësuesi më i lartë i secilit delegacion nënshkroi ‘Deklaratën e Bashkëpunimit të Autoriteteve për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Iniciativën 2017’, duke u pajtuar për të marrë pjesë në takimet e përvitshme, të cilat do të organizohen në parimin e rotacionit. Rëndësia e këtij takimi është se përfaqësuesve të autoriteteve simotra u jepet mundësia të shkëmbejnë përvojë, ekspertize e opinione, me qëllim të adresimit të sfidave të përbashkëta të hasura në mbrojtjen e të dhënave personale.

 

Anëtarët e kësaj nisme u pajtuan që bashkëpunimi i ngushtë ndërkombëtar midis autoriteteve shtetërore të vendeve të ndryshme është parakusht për mbrojtje efektive të të dhënave personale të qytetarëve. Pjesëmarrësit identifikuan sfida të numërta të përbashkëta me të cilat përballen, mes tyre, në zbatimin efektiv të standardeve të reja evropiane për mbrojtjen e të dhënave, pastaj në mbrojtjen e të dhënave në sektorin e telekomunikimit dhe në mbikëqyrjen efektive në sektorin e zbatimit të ligjit.

 

Në emër të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, deklaratën e bashkëpunimit e nënshkroi z. Bujar Sadiku, Drejtor i Përgjithshëm, i cili, gjatë seancës së tretë, me temën për bashkëpunimin e Agjencisë me OJQ-të dhe efektet e tij në vetëdijesimin e publikut, para të pranishëmve u paraqit në gjuhën shqipe.

 

Divizioni për Marrëdhënie me Publikun / DRMJ / 038 200 62 961



 

 

Na ndiqni ne Twitter