Ankohuni këtu

Mbahet Konferenca Vjetore ‘ALTERNATIVAT E FUQIZIMIT TË PRIVATËSISË’

Prishtinë, 28 janar 2016 - Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi konferencën e saj, tashmë tradicionale, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Privatësisë.

 

Pas një takimi mikpritës për mysafirët nga vendet e rajonit, të organizuar një natë më parë në ambientet e Galerisë së Arteve, ku qëndronte e hapur ekspozita me vepra arti pamor nga piktorë të Shqipërisë e Kosovës, të ftuar vendorë e ndërkombëtarë shpalosën pikëpamjet e tyre rreth alternativave të fuqizimit të privatësisë në konferencën, e cila u mbajt në Hotelin’Sirius’ në Prishtinë.

 

Moderimi i kësaj konference u bë nga z. Jeton Arifi, Drejtor në ASHMDHP, ndërsa fjalim përshëndetës dhe përmbyllës u mbajt edhe nga titullari i këtij institucioni z. Ruzhdi Jashari. Mbikëqyrësit z. Bekim Demiri dhe z. Aleksandar Spasić patën prezentime rreth planprogramit të përgjithshëm për trajnimin e zyrtarëve mbrojtës, si dhe rreth udhëzuesit lidhur me planprogramin e trajnimit për mësimdhënësit e teknologjisë informative mbi çështjet e mbrojtjes së të dhënave personale te adoleshentët.

 

Rreth përvojave individuale të autoriteteve pjesëmarrëse, në emër të Komisionerit për Informim të Republikës së Shqipërisë, u prezentua znj. Anola Xhuli, me temën ‘Koordinatori i të Drejtës për Informim – Programi i Transparencës’. Njëkohësisht, me temën ‘Zyrtari për Mbrojtjen e të Dhënave Personale – Përvoja Maqedonase’, në emër të autoritetit maqedonas u paraqit z. Igor Kuzevski.

 

Vëmendje e veçantë gjatë punimeve të kësaj konference iu kushtua zyrtarit për mbrojtjen e të dhënave personale, në cilësinë e lehtësuesit për një marrëdhënie pune më të afërt ndërmjet kontrolluesve dhe autoriteteve për mbrojtjen e të dhënave, si dhe një planprogrami rreth mbrojtjes së të dhënave personale të hartuar enkas për sektorin e arsimit. Konferenca e këtij viti është quajtur Alternativat e Fuqizimit të Privatësisë, e cila reflekton rolin dhe rëndësinë e kësaj kategorie të zyrtarëve.

 

Një prej qëllimeve të kësaj konference ishte që të sillte rreth tryezës së diskutimeve përfaqësues me përvojë të autoriteteve homologe si dhe ekspertë të angazhuar nga Zyra e BE-së për të ndarë praktikat e tyre në zhvillimin e fushatave vetëdijesuese dhe planprogramet arsimore rreth privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale për nxënësit e studentët.

 

Për më shumë informata për Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ju lutem vizitoni: www.amdp-rks.org, ose kontaktoni jeton.arifi@rks-gov.net (044 254 785).

 

DRMJ / Divizioni për Marrëdhënie me Publikun / 038 200 62 961

Na ndiqni ne Twitter